Deti e kthjellët, rëra e zezë dhe nxehtë, pylli me pisha përreth që të ndjell freski, kjo është pamja që të ofron Shëngjini sot. Ngadalë ka marrë përvijimin e një plazhi popullor, mbushur me lokale dhe hotele të të gjitha kategorive dhe cilësive. I preferuar shumë, jo vetëm nga banorët e viseve përreth, por dhe ato të kryeqytetit e më gjerë, të cilët preferojnë të “marrin rrugën” drejt këtij bregu, ndoshta pak më të largët, po që për hir të së vërtetës të ofron më shumë pastërti sesa plazhet e tjera. Duke përfituar dhe nga infrastuktura e mirë e rrugëve në këtë zonën, Shëngjini është gjithmonë e më komod dhe i pëlqyer për të kaluar këto ditë të nxehta vere.
Lokalet
Një mori lokalesh e restorantesh kanë marrë formë tashmë në bregun e Shëngjinit. Ofrojnë shërbime nga më të ndryshmet, si bar për t’u freskuar ose për të pirë një kafe, restorant për të shijuar prodhimet e mrekullueshme të detit, e deri në orët e mbrëmjes, ku pushuesit mund të argëtohen me muzikë “live”, një risi, kjo shumë i përhapur kohët e fundit në vendet bregdetare.
Laguna e Kune-Vain
Po të vazhdosh rrugën përgjatë bregdetit të Shëngjinit, duke u futur mes pishave, do të shfaqet përpara laguna e Kune-Vain. Një “pjesëz” e qetë dhe më pak e populluar, ku uji bëhët gjithmonë e më e kthjellët dhe rëra gjithmonë e më e pastër. Ku mund të shijosh plot liri natyrën dhe gjithçka që ajo ofron. Ora kalon pa u ndier në këtë vend kaq paqësor. / © Shengjini.com /



